Tulpan

Tulpan Sergey Dvortsevoy
Larg zhurmës së qyteteve të cilat filmohen e stërfilmohen nga kamerat e të gjitha llojeve. Një regjizor që e ka filmin e tij të parë (pas disa eksperiencave në filmin dokumentar) arrin të na japi një dyorësh kinematografik plot shije.
Eshtë historia e një të riu, Asa, i cili kthehet si hero nga ushtria (ruse!), por që zgjedh vendin e tij, shkretëtirën e kaukazit në vend të civilizimit rus. Përgjatë gjithë filmit ai është në kërkim të një vajzë në mënyrë që të quhet burrë dhe të përfitojë të mirat materiale nga ky status i ri. Por është e pamundur që ai të gjejë apo ta bindë vajzën për të cilën mendon ditë e natë. Pas shumë orvatjeve, ndërhyrjeve, vajtje e ardhjeve me makinat e zhurmshme, djali humbet çdo shpresë dhe mendon largimin nga kjo mënyrë jetese, aspak e denjë për një të ri. Por, në këtë moment ai bindet për zgjedhjen e tij, i dëshpëruar vëndos të rezistojë duke pranuar një kulturë të cilës ai i përket.
Një film i fortë nga ana e veprimit. Kamera filmon një vend të shkretë ku një familje lëviz, këndon, për të mbijetuar, e vetme midis hapësirës dhe erërave që vijnë nga të gjitha anët. Ata kujdesen për delet të cilat bëhen sendi më i çmuar që ata kanë. U japin jetë dhe sigurojnë shëndetin e tyre megjithë vështirësitë klimatike.
Magjia e këtij filmi, në kontekstin e një momenti ku industria prodhon tmerre kinematografike të cilat sundojnë mendjet dhe sallat më të mira me qëllim ekonomik, rritet dhe e vëndos filmin në një pozitë të fortë. Skenari është i mrekullueshëm, loja e aktorëve të jep sa herë që personazhet dialogojnë, guxim për ta pranuar si qëndresë artistike kundrejt një idiotësie e cila ndeshet shpesh tek trillimi i dobësuar nga realiteti përvers i ekraneve. Nuk ka melankoli në këtë film. Tragjikja është e thyer me pak melodi nga Boney M. Personazhi femër që nuk i shfaqet as edhe për një çast spektatorit, si dhe personazhit kryesor, krijon dhe skicën me virtuoze të filmit: dhënia e jetës, respekti për jetën, lufta e pandërprerë për të jetuar. Filmi mund të kuptohet edhe përmes një metafore për disa tradita të cilat humbin midis llumit dhe errësirës që qyteti ka ndërtuar. Modernja është e paraqitur nga disa imazhe nudo të cilat nuk mund të kenë vend në atë shkretëtirë, por edhe nga dialogjet të cilat evokojnë qytetin.
mezi i pres keto shkrime te tuat.
me pelqen se ke arritur shume mire te shpjegosh anen e forte te ketyre lloj filmave te pakvleresuar.
flm.