Filmi
Këto janë kohët më të thata për syrin që di të vështrojë. Asgjë nuk ndodh përreth, vetëm grabitje imazhesh, zhveshje ikonash, gërmime për të mposhtur kulturën, vrasje për të asgjesuar dijen, injorime figurash politike që arrijnë akoma të bëjnë marrveshje midis shteteve për të gjetur një rrugë të artë… Oh, këto janë kohët e facebookut, ku përdridhen mesazhet, imazhet, vajzat, djemtë dhe zemërimi i tyre kundrejt një shoqërie të thatë, pa shtresë të ngrohtë… Oh, këta janë imazhet e një filmi që ngajnë më shumë me një makinë të vjetruar që mundohet të zbresi një kodër të ngrirë nga akulli, pra filmi nuk lëviz. Regjizori e ka bllokuar në një skenë të vërtetë, atë që ai e quan më të vështirën për t’u filmuar.
Kohët që kaluan sollën në jetën e djalit disa ndryshime. Dikur shkruaja mbi kujtimet e tija. Sot arrij të shmang nostalgjinë dhe përpiqem t’i jap jetës një lëvizje, porsi filmi që shkakton lëvizje edhe pse njëzet e katër të vërtetat e stampuara në një formë gjeometrike, asnjëherë nuk krijojnë harresë. Rikthimi, edhe pse djali në disa drejtime nuk quhet i barabartë me idetë e tija, është një lidhje ose rilidhje kontakti me disa tradita, emocione, qënie që mishërohen në imazhe të njohura, të cilat i japin atij shumë energji. Format e përdorura në jetë, një jashtëqitje për të kontrolluar më mirë opinionin e tmerrshëm publik, nganjëherë ngjasojnë me disa fotografi që jepen të koduara, me ngjyra apo bardhe e zi. Disa bëjnë pyetje, disa krijojnë atmosferë. Djali vetëm punon dhe arrin të merret me disa aktivitete që kërkojnë energji, shkundje emocionesh dhe zhdërvjelltësi në të shikuar. A mund të kuptohet djali me këto veprime aspak revolucionare?
Puna e tij nuk ngjan me asnjë veprim politik. Disa njerëz lexojnë, metodat e sotme krijojnë një traditë që mbetet e gjallë falë kuptimeve artistike që ndjekin disa individë të cilët djali i ndjek herë pas here me kureshtje dhe me guxim.
Puna është një veprim që shtyn njeriun të jetojë, të prodhojë, të shumëzojë veten e tij. Ajo kërkon vullnet, dituri dhe pak çmenduri. Asnjë nga shkrimet e djalit nuk të japin idenë se ai ngjan me këto tre çmime jetësore. Por ai jeton, si një pjesë e pashmangshme e një turme që arrin të fotokopjojë të gjitha veçoritë e jetë së tij, të gjitha emocionet dhe rastet kur ai ka qënë i rrethuar me grumbuj njerëzish që e këqyrshin me dashuri, por edhe me një urrejtje të pashoqe. Djali ndodhej në një vend të panjohur, në një vend ku gjithçka ishte ndërtuar dhe gozhduar në murin e gjykatës përpara se ai të vinte dhe t’i jepte mundësinë njeriut të ardhshëm.
Puna mund të jetë dhe zgjedhja e një kohe për të parë, për t’u argëtuar në një kinema, teatër, opera apo sallë koncerti, qoftë edhe në ndonjë lokal non fumeur që i jep mundësinë të talentuarve të korrigjojnë meloditë e tyre. Para disa ditëve, djali hyri në një lokal që mban mbi supe shumë eksperienca artistike. Jashtë, në një kafene të sajuar, djemtë dhe vajzat thithnin birra dhe kafe të ngrohtë duke mos harraur në dorën tjetër cigaren e ndezur enkas për të shoqëruar lëngun e ëmbël. Vështrime, përkrahje, inatosje, krekosje, padurim, dëshpërim, përlotje: këtu ishin disa forma që i vinin djalit përpara se të hynte në sallën e ndriçuar ku një këngëtar ulërinte, thëriste turmën të përtypte jetë edhe pse ajo ishte një jashtëqitje e pavlerë. Disa vajza fotografonin përballë skenës lëvizjet plot epsh të këngëtarit. Zoomi i këtyre fotografëve lejonte një vështrim më komplet të gjëndjes barbare me të cilën krenohej e gjitha trupa muzikore. Në kinema jeta e personzheve është komplet e detajuar në mungesë të djalit i cili shkon në kinema disa herë në javë. Ai pret një copë letër kundrejt një pagese për t’u futur në sallën e errët. Filmat që ai zgjedh shpesh herë krijojnë pakënaqësi me njerëzit që e rrethojnë. Por ai ecën i vetmuar në bindjet e tija se një shije artistike vjen nga thellësia e një injorance që na është ngjitur me forcë që në moshën e vogël, një moshë pa shumë vlera. Djali, i vetëm mundohet të flasi me personazhet, t’i drejtojë ato porsi një regjizor apo më mirë një drejtues imazhesh.
Filmi është i lidhur me jetën e djalit. Arti që ai ndjek edhe pse i dëmtuar rëndë nga errësira dhe gjymtimi i disa shqisave shumë interesante, përcakton dhe kohëzgjatjen e frymës së tij. Djali nuk mundohet të thyejë tabu. Ai rri në heshtje. Vlerat që disa praktika njerëzore e mundojnë, shpesh janë mos besime.
Po çfarë është një formë? Një material i gdhendur nga njeriu quhet një zgjidhje, një krijim, forma që ai merr ngall emocion, urrejtje, habi, dashuri, emancipim. Djali nuk jeton i mbyllur. Ai vështron larg, tmerret e kanë tërhequr. Nuk është një skenë filmi, as dhe një fotografi. Eshtë vetëm puna që i kërkohet njeriut për të jetuar, për të shumëzuar rracën, për të vrarë, për të blerë, për të shikuar, kritikuar.
Les enfants avaient désormais grandi. Kjo ishte një formulë që pata lexuar disa kohë më parë tek libri i një shkrimtari . Fëmijët ishin rritur, me jetën e tyre të mëdhenjtë kanë formuar luftra, sulme, tragjedi, prerje, filmime. Ndoshta filmi do të ishte një praktikë me e qeshur se sa ky kombinim fjalish që djali përmblodhi për të stimuluar rrethin e largët që shijon heshtjen dhe kujtesën e një moshe kur jeta ngacmonte më shumë.
Regjizori e ka bllokuar në një skenë të vërtetë, atë që ai e quan më të vështirën për t’u filmuar.
kjo e permbledh fare mire se ç’ke dashur te thuash ne kete shkrim!
nuk pajtohem me ty vetem per kohen e femijerise qe e quan si pa shume vlera.