Tingulli dhe hapësira.
Një nga fitoret e njeriut është dhe lajmi që qarkullon shumë shpejt, madje ai nuk përfill largësinë që mund të ndihmojë dy njerëz të vetmuar dhe që kërkojnë të shmangin keqkuptimet në lidhje me aftësinë e tyre për të kontrolluar në mënyrë përfekte imazhin që ata sjellin në kohët e një shpërndarjeje pa kufi të të gjitha praktikave njerëzore.
Kudo ka lajmërime, gjëndje, përkufizime, tendenca, përsëritje frazash, acarime nervash, perversitete njerëzore, pritje të kota, arritje pa kuptim. Njeriu gjendet në mes të ketij lajmi që na vjen nga metodat bashkëkohore të lajmërimit njerëzor. Dikur ishte lajmëtari që përshkonte kilometra të tëra për të sjellë një sihariq, lajm të keq, apo dhe dredhi. Në kohët primitive, qëndrat e banuara ishin të shkëputura nga njëra tjetra. Lajmërimi bëhëj gjithsesi. Asnjëherë njeriu nuk ka qëndruar pa lajm sepse ai është shpjegimi i sensit se përse qeniet njerëzore duhet të jetojnë dhe të ndajnë me njëri tjetrin teknika, ashpërsi, kritika dhe nervozizëm.
Sot, në kohët moderne, të një riprodhimi ku shumica e njerëzve mund të kënaqet nga prodhimi industrial, njerëzit janë të mbyllur më shumë se kurrë. Ata ndodhen në një sipërfaqe të rrafshtë, por gjithmonë kërkojnë të fshihen, të zbulojnë të metat e tjetrit, të godasin tjetrin, të përdhunojnë lirinë dhe qetësinë e tjetrit. Mjetet që zhvillimi teknologjik i ka dhënë njeriut modern, i shumëfishon dëshirat për vetëvrasje. Po, një ikje e trishtuar nga rrethimi virtual i jetës e cila gjëndet e kufizuar nga disa paranoja që mbështjellin dëshirën e jetuarit më një cohë të kuqe, e cila irriton sytë dhe gjuhën e prerë. Sot njeriu përshtatet shpejt me vetminë. Ai nuk guxon të marri nisma që të ndryshojë komunikimin me të afërmit e tij. Ka një lloj këmbimi ku njeriu ndodhet shpesh i trajtuar me harbutërinë më të madhe nga përdorues fondesh apo votash. Njeriu jeton dhe vdes. Ndërkohë, që nga fillimi i dallimit që njeriu arrin të shkëpusi nga bota e tij primitive, ku qëndresa dhe kërcënimi nuk përziheshin me frikën, ai gjëndet i prerë në dysh nga mos largimi i disa zonave të errëta si: lajmi, lajmi interesant, lajmi i pakontrolluar, lajmi konfuz, lajmi i pavërtetë dhe lajmi si shpifje anormale.
Muzika është lajm. Tingujt e instrumentëve muzikore përcjellin një energji të hollë tek ne. Kur dëgjojmë një këngëtar që reciton vargjet e një poezie, mendohemi thellë për qartësinë e zërit të tij. Pra, zëri në këtë mes përbën lajm që mbush mungesën e zhurmës kur ndodhemi brënda një ndërtesa të mbushur me qenie njerëzore, të cilët lexojnë në heshtje, dëgjojnë muzikë vetëm dhe flasin me njerëz që nuk i njohin.
Kjo shpikje, arritje e kohëve të sotme, ngatërron dëshirën për lajm dhe mbush kohën me largime të pakontrolluara.
Foto-grafia.
Dikur kishte një enigmë në qytetin pranë. Flisnin për një njeri që kërkonte të dinte mbi historinë e vendit ku jetonte. Vizitat i bënte natën, ose në të perënduar të diellit. Me vete kishte një çantë, një fletore dhe një aparat fotografik Hasselbad dhe disa filma të markës Il Ford delta 135, 400 asa 36 poza seicili.
Ditët kalonin dhe kureshtja e banorëve nuk durohej më. Të gjithë bashkoheshin në një lokal të ngritur nga disa drejtues punimesh të cilat ishin ndërprerë me rastin e festimeve (nëse enigma do të zbulohej). Ky person, i seksit mashkull, por gjinia e tij nuk ishte e sigurtë për shkak të errësirës që mbulonte trupin e tij. Ai ose ajo, lëvizte shpejt dhe krijonte në lëvizje e sipër. Shkruante, fotografonte, vëndoste në memorien e tij shumë rrugica, dhe ndërtesa që ishin ndërtuar në kohën që ai kishte qenë i zënë me zhvillimin e teknikës së punës së tij.
Sillej si fantazëm. Zhdukej sapo njerëzia mundësonte pak ndriçim për të parë rrugët, ndërtesat dhe lokalet që rrethonin qytetin. Njerëzit ishin lodhur me këtë lojë. Ata kërkonin ta shihnin për të vlerësuar lajmet e dhëna nga një shoqatë bamirëse e cila kishte përfituar disa shuma të hollash nga shitjet e imazheve të pafirmosura. Kjo shoqatë nuk pranonte të zbardhte enigmën dhe t’i jipte një emër këtij personi që dashuronte errësirën. Sepse kjo shoqatë kishte një marrveshje, një etikë që ia ndalonte të shpërndante lajme të pabazuara në realitet. E ndihmuar edhe nga kureshtja e papritur e disa drejtuesve, të cilët kërkonin që rregullat e fiksuara të mos diskutoheshin, shoqata pranonte fisnikërinë dhe përmbajtjen e sinjaleve që imazhet e stampuara kishin si mesazh. Ata paraqitnin disa ndërtesa dhe brendësinë e tyre, por kompozimi çudiste shumë shikues. Ata nuk kuptonin se si një njeri vepron i vetëm, në mes të një qyteti dhe askush nuk shqetësohej nga zhurma, elementët që ai përdorte dhe aparati i zhurmshëm fotografik. Ata nuk kuptonin se si drita arrinte të hynte në një shpellë të zezë. Gjithçka dukej e paimagjinueshme, si dhe qenia e këtij personi që shndërrohej në asgjë kur dikush mundohej ta ndalonte për të përshkruar qytetin e tharë nga imagjinata e njerëzve që nuk krijonin, nuk kuptonin dhe nuk arrinin të zgjidhnin enigmën që i mundonte prej disa muajsh: kush ishte ky person dhe pse pikërisht kjo qendër banorësh e tërhiqte atë aq shumë?
Përgjigje nuk kishte. Skenat e fotografuara nga njeriu i mistershëm gjendeshin në duart e disave që kishin përfituar nga errësira e dhomës për t’i vjedhur disa prova fotografike të cilat shpjegonin paksa enigmën e këtij individi që tërhiqej. Përfitimi ishte i konsiderueshëm. Vendi ku ata jetonin ishte fiksuar në një letër të bardhë e cila ishte kthyer në një formë që përmblidhte shumë forma, dimensione dhe dritë hije. Ky vend nuk do të humbte. Aty njerëzit e së ardhmes do të mund të lexojnë shpjegimet dhe të kuptojnë më mirë përshkrimin që njeriu i mistërshëm kishte dhënë. Fotografia në këtë rast do t’i ndihmonte, por enigma do të qendronte, si në çdo imazh të palëvizshëm sepse edhe aftësia për të fabrikuar një përmbledhje dritash dhe hijesh është ndalimi i kuptuesit i cili kërkon të ndërhyjë në çdo detaj. Prandaj njeriu kishte zgjedhur natën për të ecur dhe krijuar punën e tij sepse nata nuk i takonte askujt por ajo është e gjithkujt. Nata ndihmonte fletët e bardha të nxiheshin nga kompozimi kimik. Fotografia do të mbesë një enigmë e pazgjidhur shkruhej në hyrje të qytetit që kërkonte të shfaqte bukuritë e tij me anën e fotografive të këtij personazhi enigmatik.
AQUELE QUERIDO MES DE AGOSTO

Në shqip mund të përkthehet: Ky muaji i dashur i gushtit.
Regjizori Miguel Gomes na jep një film të mrekullueshëm. Mrekullia e këtij filmi qëndron në faktin se çdo skenë kërkon të ngjitet, jetojë brënda skenarit të regjizorit, i cili i merr nga jeta e përditshme e një zone të humbur të Portugalisë Arganil. Ai filmon aty jetën, këngët, traditat, batutat, dhe gjithë njerëzit që bëhen pak e nga pak personazhe të pakundërshtueshme të filmit.
Filmi mund të ndahet në dy pjesë, por që siç e thashë më sipër, ato janë të ngjitura shumë mirë njëra me tjetrën. Kemi një pjesë që më shumë është në formën e dokumentarit, por nuk ekziston pa pjesën e dytë e cila është fiktive sepse në lojë hyjnë aktorët dhe ngrihet një melodramë midis tyre.
Por e rëndësishmja është se omes na jep një shumëllojshmëri skenash nga fshati që ai filmon: skena balloje, muzike, pjesë nga jeta në fshat, nga peisazhi i mrekullueshëm; të gjitha këto ngjarje që i interesojnë regjizorit japin dhe trupëzimin e aktorëve, ose personazheve që ata mishërojnë.
Në fakt filmi, siç dhe çdo film i kësaj nature, me një buxhet të vogël dhe pa aktorë të njohur, është ndërtuar në dy kohë. Në verën e 2006-s dhe në atë të 2007-s. Kjo mënyrë pune tregohet mjaft mirë tek montimi i filmit. Koncepti është i thjeshtë, por nuk duhet të ketë qenë i tillë në fillim. Regjizori thotë që kërkonte të bëntë një melodramë me disa këngë popullore të zonës. Për mungesë fondeshai ndryshon pak taktikë. Ai niset të filmojë jetën në atë që e njihte me një ekip të vogël, me një kamera 16 mm. Formula që zgjedh del ajo fituesja sepse personazhet ndërthuren shumë mirë me ambjentin dhe jetën në atë zonë. Historia e vërtetë e filmit është pak e ngatërruar ta përcaktosh, më shumë do të thoshja se aty ndërthuren disa histori që ekzistojnë mirë me njëra tjetrën, ashtu si dhe jeta në një vend të caktuar ku ne nuk e njohim shumë jetën aty.
Regjizori thotë: “Puna ime është bërja e kinemasë me elementët që ekzistojnë, që i takojnë jetës së njerëzve, por duke futur dëshirat e mia, dëshirën e fiksionit, dëshirën e shfaqjes”. Ky film tregon më së miri këtë dëshirë për të filmuar jetën, njerëzit dhe traditat e tyre, dhe në bazë të gjitha këtyre informacinove të ngrejë një histori të vogël, një dramë, për t’i lidhur më mirë me artin e kinemasë, si një art që kërkon të mbijetojë në këto kohë të dhunshme nga emisonet, dokumentaret, rality-show e të tjera skena të një jetë që shfaqet dita ditës nëpër ekranet e televizionit, duke kërcenuar dhe intimitetin e tyre.
Still Walking

STILL WALKING, Hirokazu Kore-eda
Filmi i fundit i regjizorit japonez, që aq shumë qe pëlqyer me filmin Nobody knows, vjen këtë herë me dëshirën për të filmuar brëndësinë e një familjeje japoneze. Skena e parë, përgatitja për një vakt familjar, na jep dhe shenjat e para të kësaj drame. Personazhet janë të ndrydhur, ato flasin për darkën që po përgatisin, për të ftuarit, për familjen. Nëna dhe një nga vajzat përgatisin tavolinën. Me gjestet e tyre kuptojmë se sa e rëndësishme dueht të jetë kjo darkë.
Pak e nga pak, të gjithë pjestarët e familjes janë mbledhur, kuptojmë atëherë se bëhet fjalë për një përvjetor të një pjestari që nuk jeton më, ai ka vdekur vite më par, është djali i madh i familjes. Kjo është dhe përmbajtja e këtij filmi, i cili pa zhvillimin estetik nga ana e regjizorit do rrinte e cunguar: thjeshtë një histori banale e familjeve të ngurta.
Por, regjizori japonez, i përshtatur me traditën e mirë që la Ozu, filmon çdo detaj me një liri të madhe. Ai i jep dritë planeve dhe i ngjyros ato me një portokalli të ngrohtë. Si ta filmojë këtë dramë familjare, kur të tjera pakënaqësi ndodhin në familje, si mos pranimi i një fëmije apo dhe mos pranimi i një jete njerëzore? Duke filmuar çdo skenë me një ndjeshmëri të madhe, çdo personazh na sillet i rëndësishëm, edhe pse skena e një darke nuk thotë asgjë.
Kinema e mirë, që të lë një shije të fortë në tru.
I ndjekur.
Formati i kutisë nuk i kalonte tetëmbëdhjetë centimetrat. Një vajzë e mori kutinë dhe e hodhi në një pirg plehrash që gjendeshin aty pranë rrugës ku ajo kalonte çdo ditë. Në atë kuti ndodhej një dhuratë nga një njeri, sigurisht një nga djemtë që e adhuronin, por që nuk kishte dashur t’i njihej emri. E papritura nuk i pëlqente vajzës me flokët e gjatë, pak me onde. Ajo shpesh gjendej përballë pasqyrës dhe e qortonte atë për difektet që mund t’i zbulonte; ajo mendonte se në fytyrën e saj të bukur kishte pak rudha të parakohshme. Ajo nuk e dinte, por fytyra e saj, flokët e saj, sytë dhe buzët, kishin ngjallur një kureshtje të madhe tek djali që i kishte përgatitur dhuratën. Ai kishte ngecur në momentin kur duhej të hynte në temë, të mirrte pakon dhe t’i afrohej vajzës me një buzëqeshje që vetëm ai dinte ta bënte.
Disa ditë më parë, vajza kishte bërë një udhëtim nga i cili kishte përfituar shumë. Ajo ishte e sjellshme si natyrë, por tundimi e kishte detyruar t’i përkulej fatit dhe ndjenjave. Tradhëtia ishte një fjalë e pakuptimtë për një vajzë të lirë dhe inteligjente. Ajo lëvizte në shumë vende, kontrollonte shumë mirë ndodhjen dhe biometrinë e vështrimeve. Disa djem viganë, me gjokse të fryra nga hekurat e salduar me forcë, e kishin rrethuar dhe i pengonin vështrimin. Vëmendja e vajzës u perqëndrua tek me i skajshmi nga djemtë. Ai qëndronte me një kuti në dorë dhe priste një çast, një mundësi për t’ia futur në çantën e kuqe të cilën vajza e kishte blerë disa ditë më parë. Djali që nuk imagjinonte një rreth të tillë tundues, ku meshkujt rrethonin një femër autoritare, lëvizte çerpikët dhe zgjaste gishtërinjtë duke bërë pak zhurmë. Me thembrën e këpucëve, gjëmonte tokën, një pluhur i lehtë u ngrit dhe e zhvëndosi vemendjen nga duart e tij të holla tek fundi i këmbëve, aty ku mbaronte pesha e trupit njerëzor. Djali nuk përcilltë më asnjë shpresë për atë vajzë e cila nuk e kishte kuptuar ndonjëherë se pse një kuti mund të pranohet.
Tulpan

Tulpan Sergey Dvortsevoy
Larg zhurmës së qyteteve të cilat filmohen e stërfilmohen nga kamerat e të gjitha llojeve. Një regjizor që e ka filmin e tij të parë (pas disa eksperiencave në filmin dokumentar) arrin të na japi një dyorësh kinematografik plot shije.
Eshtë historia e një të riu, Asa, i cili kthehet si hero nga ushtria (ruse!), por që zgjedh vendin e tij, shkretëtirën e kaukazit në vend të civilizimit rus. Përgjatë gjithë filmit ai është në kërkim të një vajzë në mënyrë që të quhet burrë dhe të përfitojë të mirat materiale nga ky status i ri. Por është e pamundur që ai të gjejë apo ta bindë vajzën për të cilën mendon ditë e natë. Pas shumë orvatjeve, ndërhyrjeve, vajtje e ardhjeve me makinat e zhurmshme, djali humbet çdo shpresë dhe mendon largimin nga kjo mënyrë jetese, aspak e denjë për një të ri. Por, në këtë moment ai bindet për zgjedhjen e tij, i dëshpëruar vëndos të rezistojë duke pranuar një kulturë të cilës ai i përket.
Një film i fortë nga ana e veprimit. Kamera filmon një vend të shkretë ku një familje lëviz, këndon, për të mbijetuar, e vetme midis hapësirës dhe erërave që vijnë nga të gjitha anët. Ata kujdesen për delet të cilat bëhen sendi më i çmuar që ata kanë. U japin jetë dhe sigurojnë shëndetin e tyre megjithë vështirësitë klimatike.
Magjia e këtij filmi, në kontekstin e një momenti ku industria prodhon tmerre kinematografike të cilat sundojnë mendjet dhe sallat më të mira me qëllim ekonomik, rritet dhe e vëndos filmin në një pozitë të fortë. Skenari është i mrekullueshëm, loja e aktorëve të jep sa herë që personazhet dialogojnë, guxim për ta pranuar si qëndresë artistike kundrejt një idiotësie e cila ndeshet shpesh tek trillimi i dobësuar nga realiteti përvers i ekraneve. Nuk ka melankoli në këtë film. Tragjikja është e thyer me pak melodi nga Boney M. Personazhi femër që nuk i shfaqet as edhe për një çast spektatorit, si dhe personazhit kryesor, krijon dhe skicën me virtuoze të filmit: dhënia e jetës, respekti për jetën, lufta e pandërprerë për të jetuar. Filmi mund të kuptohet edhe përmes një metafore për disa tradita të cilat humbin midis llumit dhe errësirës që qyteti ka ndërtuar. Modernja është e paraqitur nga disa imazhe nudo të cilat nuk mund të kenë vend në atë shkretëtirë, por edhe nga dialogjet të cilat evokojnë qytetin.
Njerëz dhe fate.
Sa për sqarim, nuk është titulli i një telenovele shqiptare. Më erdhi në mendje në një kohë kur njerëzit ndihen të zhdukur përballë gjëmimit të kremërave kozmetike. Përveç kremit dhe manipulimit me programe të ndryshme televizive, imazhi i njeriut, qoftë ai i seksit femër apo mashkull, është i trishtuar. Sot, njerëzit, ndjehen plot madhështi përballë harrresës që koha i kushtëzon. Kush mund të flasi për njeriun? Filozofi që në shpellën e vet mundohet të ruajë pozitën e fortë që fjala i ka dhënë, apo mekaniku që dështon përballë shprishjes mekanike të shoqërisë e cila po rindërtohet mbi disa vlera të cunguara, të ardhura nga humnera e aplikimeve matematikore. Kush është në gjëndje të flasë për njeriun në shekullin e XX-të? Disa grupe fëmijësh të cilët përballen shpesh me harresën, arrogancën dhe pamëshirën njerëzore?
Disa qenie njerëzore të cilët rrinë të ulur në stola të kaltër mundohen të lëvizin shpejt, në mënyrë që ndjekja të kthehet në vlerë dhe largimi të zhdukë ulërimën. Disa organizata kriminale që ekzistojnë edhe pa dëshirë e pushtetit të ligjshëm, mund të përcaktojnë fatin e një rajoni, mbase edhe të një brezi.
Videoja sot është kthyer në një organ seksual të tretë, që pas atij mashkullor dhe femëror, ngarkon me energji sa herë që syri zhvëndos vëmendjen e shikuesit. Në ngrejmë shpesh herë sytë për të parë qiellin blu, kurse kamera, me syrin e saj të gjithëpushtetshëm, futet thellë në palcën e jetës shoqërore. Sot, arma më e sofistikuar quhet kamera. Në një kuadër të kompozuar me shije, mund të futesh një ngjarje të jastëzakonshme, edhe pse ai çast zhduket pa marrë leje dhe mund të rikthehet pas disa qindra shekujve më pas. Kamera të fut tmerrin. Të gjithë janë prè e kësaj kamere që nuk hesht se inçizuari jetën, atë të vërtetën, jetën që nuk e njohim nëse nuk e ndalim kohën, nuk e përpunojmë atë.
Njeriu (ministri), fati (tmerrimi, gjëndja e tij psiqike), kamera e fshehtë (përplasja e njeriut me fatin e tij)*. Kamera në këtë rast pengon arritjen. Njeriu u shpërbë nga fuqia e imazhit dhe fati i këtij imazhi. Sot bota montohet dhe çmontohet sipas traditave kohore. Kamera e fshehtë mundësoi që një fat të ketë kuptim dhe i shtyu masat të hedhin sinjale mosbesimi tek një grup personash që kishin fate të rregullta.
Por, i shkujdesur nga forca dhe i mbrojtur nga fakti i të qënurit njeri i Lartë, ky njeri nuk përcolli gjëndje emocionuese; masat u ngirtën për ta këputur në shumë copa. Ky veprim mund dhe të quhet impuls skopik i shikuesit, i cili në pambarim kërkon të shohi, të vështrojë copëzimin, përçarjen dhe shtrembërimin e realitetit. Ai, burri me pushtet, u zbërthye nga kamera, një perversion modern ku e lira ngatërrohet me të mundshmen. Kamera, e cila e futur fshehtas në organin vështrues të individit mashtrues, përmbante disa sinjale për ne, publikun pasiv të ekraneve moderne të varura nëpër mure kafenesh apo sallash.
Njeriu (ministri) i një vendi të përcaktuar në hartë harron se lajmi është manipulator dhe imazhi shtrembërues përsa i takon fateve dhe premisave të tij. Ky imazh pritet me brohoritje nga turmat. Ato nuk kanë evluar që nga revolucionet franceze apo ruse. Mbeten të tilla sepse mbi to reagon, stimulon një sy i përbindshëm. Sot turmat kanë si shoqërues kamerat, qofshin ato të lëvizshme apo statik. Shoqëria e sotme nuk rend së lënduari imunitetin e një njeriu të pamëshirshëm në pamje të parë, por i rrezikuar nga kontrolli i gjërë dhe pa kufi i mediave. Ky njeri gjëndet shpesh i ndarë nga pjesa e dytë e jetës së tij. Fillimi i një pretendimi real, edhe pse jeta nuk mund të kompozohet në një kornizë alumini, lejon që koha të ngrejë njeriun dhe ta godasi atë me shumë forcë.
* Kjo pjesë u mundësua nga shkrimet, debatet mbi filmimet që iu bënë Ministrit të Kulturës në Tiranë, në një kohë kur ai shpërfilltë mundësinë e një kamera tek personi që i rrinte pranë…

35 RHUMS Claire Denis. Francë, Gjermani 2008.
Fotografia : © Allociné. fr © Soudaine Compagnie
Hapja e filmit me një sekuencë të gjatë, ku nga një kabinë treni, dikush vështron dekorin që jep dhe mesazhin e parë për spektatorët, mund të jetë një udhëtim i vazhdueshëm, i mundimshëm që bën trupi drejt një hapësire të panjohur, drejt jetës që mposht çdo refleks të fituar më parë. Fillimi i filmit nuk jep asnjë zhvillim, planet qëndrojnë të heshtura si dhe personazhet që filmohen në tren, në lëvizje, në cepa rrugësh, në plane të ngushtuara, për të dalluar më mirë emocionin që rrjedh nga lëkura dhe magjia e dritës.
Filmi i Claire Denis, një regjizore e njohur për publikun francez për filmat e saj aspak të thjeshtëzuar, ka si temë marrdhëniet prind-fëmijë (në rastin konkret: baba-vajzë). Regjizorja ka marrë një moshë të caktuar për t’iu përgjigjur disa pyetjeve që mund të dalin nga goja kur sheh se një temë e tillë, prind-fëmijë, është aq e rrahur në kinema. Joséphine, nje nëntëmbëdhjetëvjeçare bukuroshe, kujdeset për të jatin, kujdesje që sjell pak nervozitet tek ai. Skenari nuk zbërthen njëherësh dramën e kësaj familje. Shumë personazhe ndërhyjnë, dekori gjithashtu, por edhe mungesa e një dialogu të pandërprerë. Regjizorja duket se i ka dhënë më shumë rëndësi shikimit, prekjes dhe ngjeshjes së trupave. Personazhet ecin së bashku, ato futen në një kuadër për t’i dhënë më shumë forcë bërthamës së kësaj familjeje që nuk dallohet mirë se kush është shkaku i ndarjes në copëza të hapësirës ku personazhet jetojnë.
Udhëtimi i Lionel (babai i Joséphine) mund të ndjehet dhe si një shkëputje nga trupi i tij i diçkaje që ai e mendonte të tijën. Termi shkëputje hap dhe dramën e këtij babai që ecën me shpejtësi si dhe treni i tij. Këtu, koha ka një forcë. Spektatori është gjithnjë në lëvizje , ai sheh trupat të filmuar me pasion. Regjizorja është e njohur për kinemanë e saj intimiste. Në fakt filmi nuk ngatërrohet vetëm me problemet psikologjike të një familje të copëtuar nga fati, regjizorja krijon më shumë lidhje ndërmjet prindit dhe rrethit shoqëror që shoqëron personazhet në dekorin social.
Filmi që mban si titull një traditë të vjetër, që shpjegohet vetëm në skenën mbyllëse të filmit, ku 35 gota rhumi duhet gëlltitur, mbështillet me një pëlhurë pesimizmi në pamje të parë, por që nuk mund të pranohen si skena të mbushura me trishtim sepse regjizorja filmon jetën dhe ndryshimin e qënieve në këtë jetë shpesh herë të pamëshirë. Mbetet një film i mirë, intim, familjar që ngré shumë pyetje dhe që mundohet të ngrihet pak nga fluksi i pafund i imazheve që mbushin sallat me spektatorë që nuk dinë të krijojnë një lidhje midis imazheve dhe gjëndjes së tyre fill pas projektimit.
Të gjitha shanset e mira të ofrohen pasi të kesh parë 35 Rhums i cili është një përballje filozofike me çastet që shkaterrohen dhe ritmin e një jete që nuk rend së larguari. Jeta që filmon Claire Denis është e mbushur me melankoli, por ajo di si t’i përgjigjet spektatorit i cili rri vigjilent në kolltukun e tij komod, me disa skena familjare, aspak serioze, jo si në telenovelat e pasditeve me shi; me disa lëvizje të kameras e cila bën që planet filmike të shndërrohen në tabllo. Mund të them që Denis filmon një pasazh, një fletë libri, një notë muzikore dhe lë një shenjë në kinema me filmat e saj që nuk preken dhe aq lehtë nga kritika boshe e opinionit të masave të cilët rendin pas orgazmave sterile të një kinamtografie që përplaset me ne, spektatorin që akoma është kureshtar për tu mbyllur në një dhomë të errët për të vështruar plane të realizuara me bindje.
Tony Manero

TONY MANERO. PABLO LARRAIN. KILI, BRAZIL 2008
Fotografia: © Fabula Productions © Allocine. fr
Si të flasim për të kaluarën e një vendi të mbajtur nën diktaturë nga fashistët? Si të flasim për Pinochet-in, këtë diktator fashist? Si ta përshkruajmë historinë e disa njerëzve që ndodheshin të traumatizuar nga funksionimi i shoqërisë? Si t’ia paraqesim publikut kundërvënien e rinisë këtij regjimi totalitar pa u futur në detaje dhe pa përdorur shumë figurantë me armë në dorë? Pablo Larrain, regjizori kilian 32 vjeçar, na jep shumë përgjigje me filmin e tij Tony Manero me forma të dashura nga publiku që kërkon një kinema që komunikon me të.
Për t’iu futur interpretimit të këtij filmi, që nga titulli kuptohet se lidhja midis Saturday Night Fever, film i John Badham (1977) nuk është rastësi apo kënaqësi thjesht për të ndjekur pak modën e remake-ve anë e mbanë artit. Tony Manero që në filmin e Badham interpretohet nga John Travolta, është historia e një kërcimtari amator që është i apasionuar me personazhin e filmit (Saturday Night Fever). Ai (Raul) identifikohet me këtë personazh që kërkon ta imitojë për një konkurs televiziv. Por për të arritur deri aty, Tony nga Kili, përpiqet me të gjitha forcat që koha dhe dija i japin. Mbyllja e filmit përcjell mirë mesazhin që don të japi regjizori, një mesazh tronditës. Sepse filmi e trondit spektatorin në kolltukun e butë të kinemasë. Përpunimi estetik nuk ndjek ndonjë rregull. Në film ngjyra gri mbështjell trupat dhe shpirtin e Tony-n që don t’i ngjasojë atij amerikan. Por ndodhja në një shoqëri të ashpër, të mbyllur, vrastare, i mohon shumë detaje spektatorit që nuk ka shumë informacione për Tony-n, përveçse disa kolegëve që përpiqen të krijojnë spektakle për të mbijetuar. Këto janë njerëz të privuar nga fjala e lirë. Njerëz të gjymtuar sepse ëndërronin të pamundurën. Personazhi i filmit është pasqyra e kësaj shoqërie agresive, të cunguar, të rënduar nga privimi, të gjymtuar nga urrejtja dhe shkatërrimi shpirtëror.
Eshtë portreti i këtij personazhi që flet shumë pak, por që vështron gjithçka. Ne, spektatorët, jemi gjithmonë pranë tij, shohim nëpërmjet vështrimeve të tij. Dhe arritja e këtij filmi, i cili mund edhe ta mërzisë spektatorin me ankthin e mbylljes, qëndron në faktin që regjizori nuk privohet të ndërlidhi dy filmat në disa pika të forta. Kush e ka parë filmin e Badham, mund ta ndërtojë më mirë historinë që lidh këto dy filma.
Mirëdita
Dikur ndiqja një kurs për t’u pranuar në një mjedis ku imazhet duhet të respektoheshin për cilësinë e tyre. Këto imazhe ishin të përpunuara me një kujdes të tepruar. Ngjarjet që paraqiteshin në këto imazhe ishin vetëm pjesëza nga veprimi njerëzor, i cili shkujdesej për ardhmërinë e krijuesve të cilët gjendeshin shpesh përballë kockave të thyera, organeve të përgjakura, fytyrava të trazuara nga mjekimi i shpejtë. Këto imazhe mund të kujotjnë luftën, një lojë e qëllimshme për të kontrolluar një copë nga trualli i trashëguar nga historia. Cfarë po ngjet sot me imazhet mund të kuptohet ndryshe nga ç’mund të mendojmë. Imazhi kapërcen bindjet dhe frikën njerëzore. Njeriu nuk ngopet dot me imazhe që s’kanë tmerrin si qëllim. Sepse çdo imazh tmerron (delight) sepse ai është tmerrues që në lindje. Imazhet nuk dallohen dot nga ndjenjat, ato nuk mund të qëndrojnë përveçse disa sekonda mbi membranën muskuloze të trupit njerëzor. Imazhet ngjeshen porsi ndjenjat në një vendtakim. Imazhi filmik s’është veçse një ndjenjë e disa individëve të lirë dhe të gënjyer nga prania e ideve tek ëndrrat. Imazhi që përcjell një pikturë vonon të shuajë kureshtjen sepse ambjenti nuk përcaktohet dot. Francis Bacon copëtonte mishin, por mbetemi gjithmonë në një telajo ku ngjyrat shkëputen për t’i ardhur në ndihmë syve të përbaltur nga morali. Qëllimi i imazheve është komunikimi, arsyeja për t’u qëndruar sa më larg njerëzve dhe për t’i radhitur ata sipas modeleve dhe stileve të kohërave që përcaktojnë dhe zhvillimin estetik.
Estetika e shek. të XX-të e ngjiti në piedestal kërkuesin e tmerrit me anën e fotografive, imazheve të lëvizshme (filmit), pikturave ekspresive të krijuesve mjeranë të pas luftës. Ka shumë studime, komente, kritika, qëndrime, mbi rolin e imazhit. Nuk mund të përcaktoj rolin e këtij shkrimi i cili futet në kategorinë e sinqertë, por mund të shprehem se imazhi përcakton mënyrën e rënditjes së ideve për të lexuar diçka dhe për ta komentuar.
Gjithandej faqet në internetin e plotfuqishëm, janë të mbushura me imazhe. Njeriu harron të lexojë, ai përqafon stilin viziv të një reviste apo emisioni televiziv. Rojet e pafundme të shkrimeve koherente, ngatërrohen me faqet pornografike të jetës, së cilës nuk i mbetet më asnjë shpresë.
Titulli
Eshtë e vështirë të kuptosh titujt që shohim nëpër gazeta. Komentet mund t’i gjesh ngado, nëpër streha virtuale ku analistët flakërohen me idetë e tyre të papara, nëpër faqet e shtypit vetë. Kush dhe si qëllohet në shënjë për t’i dhënë një emërtim tragjedisë, gëzimit? Duhet patjetër një titull, një veçori që profesionistët e komunikimit apo reklamuesit e zellshhëm e kanë të zhvilluar shumë.
Kur preket një gazetë, e para që na bie në sy është titulli. Madje dhe në këtë blog titujt i janë përshtatur në një fare mënyre shkrimeve apo ideve që shtjellohen në to. Titulli mohon atë përtesë që mund të ketë një njeri për të lexuar gazetën, blogun, apo një copë letre. Në titull duhet të ketë gjithçka. Idenë, hyrjen për në shkrim, shpjegimin dhe mbylljen.
Titulli na mban të sinqertë me lexuesin. Ka tituj lirik, gotik, sentimental, të varfër, provokues, të ashpër, por të gjitha llojet e titujve mbajnë një vlerë të barabartë, ato i mundësojnë lexuesit të futen në një botë të thjeshtë, e stilizuar me kurajo. Titulli pret lexuesin dhe i hap atij dyert e dijes. Në çdo titull ka diçka të magjishme, një fillim impulsiv që të lejon të hulumtosh mbi të gjitha frazat dhe të mos harrosh titullin, atë që të dha mundësinë të prekesh këtë film.
Ka tituj për filmat, të cilët nganjëherë përbëjnë një problem jo të vogël: përkthimin! Nuk mund dhe nuk duhet të ketë tituj universalë, edhe pse regjizorët e mrekullueshëm janë dhe mbesin universalë. Zabriskie Point e Antonionit nuk ka nevojë për përkthim. Fahrenheit 9/ 11 i Michael Moore gjithashtu s’ka nevojë për titull, por duhet kuptuar titulli dhe pse ai ka ndërhyrë në formën filmike. Raste të tilla gjenden kudo në kinematografi, por edhe në pikturë, nodshta dhe në muzikë.
Rëndësia e titullit është e madhe, të japësh me një fjalë kuptimin, ndoshta dhe rëndësinë e veprës, nuk arrihet lehtë nga shkrimtarët se titulli ka diçka kimike në përmbajtje, ai të eksiton përpara se ti t’i përvishesh punës.
|
)
|
Filmi
Këto janë kohët më të thata për syrin që di të vështrojë. Asgjë nuk ndodh përreth, vetëm grabitje imazhesh, zhveshje ikonash, gërmime për të mposhtur kulturën, vrasje për të asgjesuar dijen, injorime figurash politike që arrijnë akoma të bëjnë marrveshje midis shteteve për të gjetur një rrugë të artë… Oh, këto janë kohët e facebookut, ku përdridhen mesazhet, imazhet, vajzat, djemtë dhe zemërimi i tyre kundrejt një shoqërie të thatë, pa shtresë të ngrohtë… Oh, këta janë imazhet e një filmi që ngajnë më shumë me një makinë të vjetruar që mundohet të zbresi një kodër të ngrirë nga akulli, pra filmi nuk lëviz. Regjizori e ka bllokuar në një skenë të vërtetë, atë që ai e quan më të vështirën për t’u filmuar.
Kohët që kaluan sollën në jetën e djalit disa ndryshime. Dikur shkruaja mbi kujtimet e tija. Sot arrij të shmang nostalgjinë dhe përpiqem t’i jap jetës një lëvizje, porsi filmi që shkakton lëvizje edhe pse njëzet e katër të vërtetat e stampuara në një formë gjeometrike, asnjëherë nuk krijojnë harresë. Rikthimi, edhe pse djali në disa drejtime nuk quhet i barabartë me idetë e tija, është një lidhje ose rilidhje kontakti me disa tradita, emocione, qënie që mishërohen në imazhe të njohura, të cilat i japin atij shumë energji. Format e përdorura në jetë, një jashtëqitje për të kontrolluar më mirë opinionin e tmerrshëm publik, nganjëherë ngjasojnë me disa fotografi që jepen të koduara, me ngjyra apo bardhe e zi. Disa bëjnë pyetje, disa krijojnë atmosferë. Djali vetëm punon dhe arrin të merret me disa aktivitete që kërkojnë energji, shkundje emocionesh dhe zhdërvjelltësi në të shikuar. A mund të kuptohet djali me këto veprime aspak revolucionare?
Puna e tij nuk ngjan me asnjë veprim politik. Disa njerëz lexojnë, metodat e sotme krijojnë një traditë që mbetet e gjallë falë kuptimeve artistike që ndjekin disa individë të cilët djali i ndjek herë pas here me kureshtje dhe me guxim.
Puna është një veprim që shtyn njeriun të jetojë, të prodhojë, të shumëzojë veten e tij. Ajo kërkon vullnet, dituri dhe pak çmenduri. Asnjë nga shkrimet e djalit nuk të japin idenë se ai ngjan me këto tre çmime jetësore. Por ai jeton, si një pjesë e pashmangshme e një turme që arrin të fotokopjojë të gjitha veçoritë e jetë së tij, të gjitha emocionet dhe rastet kur ai ka qënë i rrethuar me grumbuj njerëzish që e këqyrshin me dashuri, por edhe me një urrejtje të pashoqe. Djali ndodhej në një vend të panjohur, në një vend ku gjithçka ishte ndërtuar dhe gozhduar në murin e gjykatës përpara se ai të vinte dhe t’i jepte mundësinë njeriut të ardhshëm.
Puna mund të jetë dhe zgjedhja e një kohe për të parë, për t’u argëtuar në një kinema, teatër, opera apo sallë koncerti, qoftë edhe në ndonjë lokal non fumeur që i jep mundësinë të talentuarve të korrigjojnë meloditë e tyre. Para disa ditëve, djali hyri në një lokal që mban mbi supe shumë eksperienca artistike. Jashtë, në një kafene të sajuar, djemtë dhe vajzat thithnin birra dhe kafe të ngrohtë duke mos harraur në dorën tjetër cigaren e ndezur enkas për të shoqëruar lëngun e ëmbël. Vështrime, përkrahje, inatosje, krekosje, padurim, dëshpërim, përlotje: këtu ishin disa forma që i vinin djalit përpara se të hynte në sallën e ndriçuar ku një këngëtar ulërinte, thëriste turmën të përtypte jetë edhe pse ajo ishte një jashtëqitje e pavlerë. Disa vajza fotografonin përballë skenës lëvizjet plot epsh të këngëtarit. Zoomi i këtyre fotografëve lejonte një vështrim më komplet të gjëndjes barbare me të cilën krenohej e gjitha trupa muzikore. Në kinema jeta e personzheve është komplet e detajuar në mungesë të djalit i cili shkon në kinema disa herë në javë. Ai pret një copë letër kundrejt një pagese për t’u futur në sallën e errët. Filmat që ai zgjedh shpesh herë krijojnë pakënaqësi me njerëzit që e rrethojnë. Por ai ecën i vetmuar në bindjet e tija se një shije artistike vjen nga thellësia e një injorance që na është ngjitur me forcë që në moshën e vogël, një moshë pa shumë vlera. Djali, i vetëm mundohet të flasi me personazhet, t’i drejtojë ato porsi një regjizor apo më mirë një drejtues imazhesh.
Filmi është i lidhur me jetën e djalit. Arti që ai ndjek edhe pse i dëmtuar rëndë nga errësira dhe gjymtimi i disa shqisave shumë interesante, përcakton dhe kohëzgjatjen e frymës së tij. Djali nuk mundohet të thyejë tabu. Ai rri në heshtje. Vlerat që disa praktika njerëzore e mundojnë, shpesh janë mos besime.
Po çfarë është një formë? Një material i gdhendur nga njeriu quhet një zgjidhje, një krijim, forma që ai merr ngall emocion, urrejtje, habi, dashuri, emancipim. Djali nuk jeton i mbyllur. Ai vështron larg, tmerret e kanë tërhequr. Nuk është një skenë filmi, as dhe një fotografi. Eshtë vetëm puna që i kërkohet njeriut për të jetuar, për të shumëzuar rracën, për të vrarë, për të blerë, për të shikuar, kritikuar.
Les enfants avaient désormais grandi. Kjo ishte një formulë që pata lexuar disa kohë më parë tek libri i një shkrimtari . Fëmijët ishin rritur, me jetën e tyre të mëdhenjtë kanë formuar luftra, sulme, tragjedi, prerje, filmime. Ndoshta filmi do të ishte një praktikë me e qeshur se sa ky kombinim fjalish që djali përmblodhi për të stimuluar rrethin e largët që shijon heshtjen dhe kujtesën e një moshe kur jeta ngacmonte më shumë.